Site icon Telegrafi

Guardiola i lumtur që ka në radhët e veta një sulmues si Alvarez

Manchester City kishte arritur ta fitoj garën me klubet tjera të mëdha për Julian Alvarez në janar të këtij viti, por sulmuesi është lënë për gjashtë muaj huazim te River Plate.

Sulmuesi argjentinas është bashkuar me Cityn në fazën përgatitore dhe ka shkëlqyer me paraqitjet e tij.

Së fundmi ka qenë trajneri spanjoll Pep Guardiola që ka folur gjërë e gjatë për talentin argjentinas, duke mos i kursyer lëvdatat.

“Gjëja e parë që mund të them është se nuk gabuam me Julian. U shprehëm se ishte një djalë i mrekullueshëm, tani po e shohim edhe nga afër që është i tillë. Ai është absolutisht lojtar skuadre, shihet nga sakrificat që bën në fushë dhe ajo çfarë jep”.

“Kur topi është afër zonës kundërshtare ai e ka golin përpara syve. Një blerje e mrekullueshme, kështu mund të vijoj të qëndroj këtu për shumë vite. Ai do të qëndrojë me ne, do na ndihmojë shumë”.

“Ai mund të luajë në qendër, në krahë, por edhe disi më i tërhequr. Ne do të përfitojmë nga puna e Gallardos me të te River Plate, por shpresojmë t’i shtojmë diçka lojës së tij”.

“Do përpiqemi ta ndihmojmë Alvarez të rritet dhe mbi të gjitha të jetë i lumtur këtu me ne. Përshtatja kërkon pak kohë, por ne jemi gati ta ndihmojmë. Gjithsesi, ai po përshtatet shumë mirë. E përsëris: Manchester City ka kryer një goditje të madhe me afrimin e tij”, deklaroi Guardiola.

City shpenzoi 17 milionë euro për ta blerë Alvarezin nga River Plate në janar, derisa argjentinasi ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2027. /Telegrafi/

Exit mobile version