Asnjë klub anglez nuk i ka fituar 20 ndeshje radhazi para se këtë ta bënte Manchester City, mirëpo Pep Guardiola ka paralajmëruar se asgjë nuk ka marrë fund.
Trajneri ka thënë se lojtarët e tij mund të luajnë më mirë sesa kanë luajtur në javët e fundit dhe nuk mund të relaksohen, përkundër se ndodhen 12 pikë para përcjellësit të parë (Manchester United) në Ligën Premier.
Objektivat e Citizens janë që t’i fitojnë të gjitha garat ku marrin pjesë, ndërsa sonte (e martë) përballen me Wolverhampton Wanderers.
“Nuk mund të relaksohemi as për një sekondë. Gjithmonë mund të bëjmë më mirë… ky është qëllimi”.
“Sado që të fitojmë dhe sado që të marrim rezultatet, duhet të kërkojmë dhe t’ua bëjmë të qartë lojtarëve se mund ta arrijmë më shumë”.
“Ky është momenti dhe mendoj se cilido lojtar që mendon se puna ka mbaruar dhe se në çfarë situate të mirë jemi, lojtarët e tillë nuk do të luajnë”, është shprehur Guardiola në konferencën për shtyp. /Telegrafi/