Pep Guardiola ka përgëzuar lojtarët e tij pas fitores 2-1 në derbin e javës në Ligën Premier ndaj liderit Liverpoolit.
City ka fituar derbin e madh ndaj Liverpoolit duke e zvogëluar epërsinë në renditjen tabelore dhe kjo e ka gëzuar Guardiolan, i cili është krenar me lojtarët.
“Jam krenar për lojtarët, por jo vetëm sot”, ka thënë fillimisht Guardiola pas ndeshjes për BBC Sport.
“Kemi humbur dy ndeshje në katër ditë, por nuk mund të harrosh atë që kanë bërë për 16 muaj”.
“Ne e dinim se ishte një finale sot (e enjte), nëse e humbnim do të kishte përfunduar gjithçka pothuajse”.
“Të gjitha meritat shkojnë për këta lojtarë të pabesueshëm. Kështu duhet të luajmë edhe në Ligën e Kampionëve”.
“Të dy ekipet u përpoqën të merrnin më shumë nga ndeshja, por ne luajtëm pa frikë, edhe pse kemi pasur shumë presion”.
“Ata janë liderë, janë katër pikë përpara, por kemi zvogëluar diferencën”.
“Ne e dinim se nëse do të fitonim do të ishim në garë për të luftuar për titullin e Ligës Premier dhe nëse humbnim ka përfunduar gjithçka”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/