Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka zbuluar tashmë se cili klub i shkakton më shumë frikë në Ligën e Kampionëve këtë sezon.
City kaloi një moment të vështirë të mbrëmjes së mërkurë, duke arritur të kthehet nga disavantazhi për të mposhtur Club Brugge me rezultat 3-1 në ‘Etihad’, në ndeshjen e tyre të fundit të fazës së ligës.
Të dyja skuadrat siguruan një vend në fazën e play-off, megjithëse kampionët e edicionit 2022/23, City, padyshim që pritej të përfundonin në tetë ekipet e para të tabelës.
Në vend të kësaj, ata do të marrin pjesë në shortin e play-off gjatë ditës së sotme (e premte) dhe do të mund të përballen ose me Bayern Munich ose me kampionin aktual, Real Madridin, në raundin e ardhshëm.
Pavarësisht nga performanca e tyre jo e mirë në fazën e ligës, City mbetet një nga favoritët për të fituar Ligën e Kampionëve, së bashku me Bayern, Real Madrid, Barcelona, Liverpool dhe Arsenal.
Pasi u pyet se cilin klub dëshironte më shumë të shmangë, Pep Guardiola i tha emisionit italian Che Tempo Che Fa: “Pyetje e mirë. Ndoshta Barcelonën”.
“Dashuria që kam për ta më shkatërron. Unë kam lindur në një qytet të vogël aty pranë, dhe nuk është kurrë e lehtë të luash kundër tyre”.
Duke folur pas fitores ndaj Club Brugge, Guardiola tha që si Real Madrid ashtu edhe Bayern Munich janë në një pozitë më të mirë se Manchester City dhe i paralajmëroi lojtarët e tij që duhet të përmirësohen nëse duan të arrijnë në raundin e 1/16.
“Të shkojmë tek Bayern Munich ose Real Madrid do të jetë shumë e vështirë, por pas dy javësh ne do t’i kemi përsëri në dispozicion disa lojtarë, blerjet e reja, kështu që shpresoj se mund t’i luajmë dy ndeshje të mira”, përfundoi ai./Telegrafi/