Pep Guardiola vazhdon të insistojë se Marcelo Bielsa është trajneri më i mirë në botë, ndërsa ky i fundit është konfirmuar si trajner i ri i Lille për sezonin e ri.
Ish-trajneri i Argjentinës, Kilit, Marseilles dhe Athletic Bilbaos, ka nënshkruar për dy vite me klubin francez.
Guardiola para ndeshjes me Monacon ka folur për raportin e tij me trajnerin argjentinas.
“Admirimi im për Marcelo Bielsa është i madh pasi ai i bën lojtarët më të mirë, shumë më të mirë. Ende nuk kam takuar asnjë lojtar, ish-lojtar të tij që flet keq për Marcelo Bieslan. Të gjithë i janë mirënjohës atij për influencën që ka pasur në karrierën e tyre”.
“Ai më ka ndihmuar shumë mua me këshillat e tij. Sa herë që flas me të ndjehem sikur kam nevojë për ndihmë”.
Bielsa ka fituar tre tituj në Argjentinë, ndërsa me kombëtaren e vendlindjes së tij ai ka fituar medaljen e artë në Olimpiadë në vitin 2004.
“Është e rëndësishme për mua ta them edhe këtë se nuk ka rëndësi se sa tituj i ka fituar Marcelo, pasi kjo aspak nuk ka rëndësi”.
“Ne gjykohemi nga ajo se sa kemi sukses dhe sa tituj fitojmë, por nuk e dimë influencën që a ka për futbollin dhe lojtarët e futbollit”.
“Kjo është ajo që për mua ai është trajneri më i mirë në botë. Jam i interesuar ta shoh se si do të punoj ai te Lille sezonin e ardhshëm”.
“Jam i sigurt se ai do të ketë influencë në skuadrën e tij, në klubin e tij në lojtarët e tij dhe kjo do të jetë e madhe, e mahnitshme. Jam shumë i sigurt”, ka nënvizuar Guardiola.
Trajneri i Manchester Cityt vite më parë kur kishte filluar karrierën kishte takuar Bielsan ku kishte marrë shumë mësime nga ai.
Flitet se biseda e tyre ka zgjatur me orë të tëra. /Telegrafi/