Site icon Telegrafi

Guardiola analizon barazimin ndaj Liverpoolit: E di sa e vështirë është t’i rezistosh këtyre lojtarëve, këtij trajneri

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka folur pas derbit me Liverpoolin, e cila përfundoi me rezultat 2-2, ndeshje kjo e vlefshme për javën e shtatë në Ligën Premier.

Spanjolli e përshkroi takimin si një përballje mes dy skuadrave që janë në krye të ligës angleze për disa vite, por që dëshironte që të fitonin në këtë ballafaqim.

Lexo po ashtu Nuk i mposhtën në fushë, tentuan jashtë saj - tifozët e Liverpoolit pështynë anëtarët e stafit të Cityt

“Kjo është një lojë. Kjo është arsyeja pse Manchester City dhe Liverpool kanë qenë gjithmonë në krye vitet e fundit, sepse ne përpiqemi të luajmë kështu. Fatkeqësisht, nuk mundëm të fitonim – por as nuk humbëm”, ka thënë Guardiola pas ndeshjes.

“Kjo është arsyeja pse Liga Premier është liga më e mirë. Ishte e mrekullueshme, vërtet e mrekullueshme”.

Lexo po ashtu Bernardo Silva ishte milimetra larg regjistrimit të një prej asisteve më të mira në historinë e Ligës Premier

“Rezultati është ai që është. Ne nuk mund ta ndryshojmë atë. E di sa e vështirë është t’i rezistosh këtyre lojtarëve, këtij trajneri. Çdo herë është një sfidë e jashtëzakonshme për ne”.

“Mënyra se si City luajti ndaj Chelseas, PSG-së dhe sot tregon se ne jemi një ekip i madh. Kur humbasim si në Paris, ashtu edhe si sot, është mirë. Lutem që të vazhdojmë në të njëjtën frymë, dhe lojtarët të kthehen nga ekipet kombëtare pa asnjë problem”, shtoi më tej trajneri spanjoll. /Telegrafi/

Exit mobile version