Grupi mercenar rus Wagner ka mohuar se po rekruton serbë për të luftuar në Ukrainë, një ditë pasi aktivistët ngritën ankesa penale kundër organizatës në Beograd.
Midis atyre të përmendur në ankesa ishin ambasadori i Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko dhe Aleksandar Vulin, kreu i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit shtetëror të Serbisë, raporton Sky News, përcjell Telegrafi.
“Unë nuk rekrutoj serbë”, tha themeluesi i Wagner, Yevgeny Prigozhin në një deklaratë, duke thënë se ai kurrë nuk ka dëgjuar për Botsan-Kharchenko dhe për Vulinin.
Në fillim të kësaj jave, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Rusia duhet të ndalojë përpjekjet e saj për të rekrutuar serbët për të luftuar përkrah forcave Wagner.
Ai tha se faqet e internetit ruse dhe grupet e mediave sociale po publikonin reklama në gjuhën serbe në të cilat grupi Wagner bënte thirrje për vullnetarë.
Kjo vjen pasi SHBA-ja tha se po vendoste sanksione të reja ndaj Grupit Wagner, duke e akuzuar atë për dërgimin e armëve nga Koreja e Veriut në Rusi për luftën në Ukrainë.
Wagner e mohon këtë. /Telegrafi/