Autoritetet kineze arrestuan tre aktivistë që vinin në dispozicion në internet raporte të censuruara nga autoritet për pandeminë e Coronës.
Aktivistët e arrestuar kinezë bënin pjesë në nismën anti-cenzurë Terminus2049 dhe pritet të akuzohen për “nxitje mosmarrëveshjesh dhe provokim”.
Siç shkruan Deutsche Welle, ata ripublikonin në internet raporte të censuruara apo të fshira nga autoritetet në lidhje me shpërthimin e pandemisë së coronavirusit në Wuhan.
Nën akuzën jo specifike dhe të paqartë për “nxitje mosmarrëveshjesh dhe provokim” autoritetet në Kinë ndërmarrin rregullisht veprime kundër aktivistëve dhe disidentëve.
Masa e dënimit për këtë akuzë shkon deri në pesë vjet heqje lirie.
Muajt e fundit, grupi ka botuar një numër artikujsh në lidhje me pandeminë e virusit, përfshirë edhe raporte personale nga qytetarë të metropolit më të prekur, Wuhan.
Akuza se Pekini mban të fshehura informacionet
Raportet apo lajmet e ripublikuara nga grupi Terminus2049, rreth kohës kur u bë e qartë se virusi SARS-CoV-2 transmetohet nga një person tek tjetri, lidhen me sa duket me tema që qeveria kineze i klasifikon si të ndjeshme.
Ndër të tjera, Terminus2049 rishpërndau në rrjetet sociale edhe raportin e mirënjohur të mjekut Ai Fen nga Spitali Qendror Wuhan, një nga të parët që njoftoi për shpërthimin e epidemisë së virusit.
Qytetarë kinezë si dhe opinioni ndërkombëtar e akuzojnë Pekinin se mban të fshehura dhe hesht për informacione të rëndësishme për coronavirusin dhe shpërthimin e sëmundjes së mushkërive COVID-19, shkruan më tej DW.
211.894 vdekje deri më tani
Ndryshe, sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i të shëruarve nga coronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 900 mijë të martën, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA, raporton Anadolu Agency.
Të dhënat e universitetit treguan se 902.129 njerëz fituan betejën kundër pandemisë. Numri i rasteve të konfirmuara arriti në 3.057.957, ndërsa u regjistruan 211.894 vdekje.
Spanja ka numrin më të lartë të personave të shëruar me afro 124.000, e pasuar nga Gjermania me 114.500 dhe SHBA me 111.583 të shëruar.
Megjithatë, SHBA vazhdon të jetë vendi më i goditur, me numrin më të madh të infeksioneve dhe vdekjeve, me afro 988.500 raste dhe mbi 56.200 vdekje.
Ndërsa Italia ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve me 26.977, Spanja është vendi i dytë për numri më i madh i rasteve me 232.128.
Kina, që ka arrit nivelin zero të virusit, ka regjistruar rreth 84.000 raste dhe një fatalitet më shumë pasi konfirmoi rritjen e rreth 50 për qind të numrit të vdekjeve të saj, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 4637. Këto shifra vazhdojnë të shtrojnë pyetje brenda dhe jashtë Kinës.
Në përgjithësi, virusi është përhapur në mbarë botën që kur u shfaq për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar.
Me gjithë numrin në rritje të rasteve, shumica e atyre që kontraktojnë virusin vuajnë nga simptoma të buta para se të shërohen plotësisht. /Telegrafi/