Site icon Telegrafi

Grupi NeonoeN tërhiqet si përfaqësues i Malit të Zi në Eurovision 2025

Grupi NeonoeN

Grupi NeonoeN fitoi ‘Montesong’-un e mbajtur së fundmi me këngën “Clickbait”, ndërsa tani kanë njoftuar ndjekësit se po tërhiqen nga konkursi, për të cilin fillimisht ka raportuar portali malazez Vijesti, ndërsa njoftimin e tyre do t’ua përcjellim të plotë.

Ditët e kaluara pritej një vendim nëse grupi do të skualifikohej përfundimisht, sepse versionin punues të këngës e kishin performuar para konkursit aktual.

Grupi beson se nuk i kanë shkelur rregullat, për shkak se kënga nuk është transmetuar apo përdorur asnjëherë komercialisht, duke theksuar se versioni i këngës që është interpretuar live nuk është identik me atë të prezantuar në ‘Montesong’.

“Në interesin më të mirë të publikut, me dëshirën për t’i dhënë fund pasigurisë dhe për të kontribuar sërish në muzikën për të cilën jemi këtu në radhë të parë, ju njoftojmë se vullnetarisht po tërhiqemi nga pjesëmarrja në Eurovizion.

Sipas rregullores, RTCG do të zgjedhë një përfaqësues tjetër dhe ne do të jemi të parët që do t’i urojmë fat dhe do t’i japim mbështetje të plotë”, njoftoi grupi në rrjetet sociale.
Ata thonë se fitorja në Montesong u solli atyre publicitet “llojin dhe masën të cilën nuk e zgjodhëm dhe as nuk mund ta kontrollonim”.

Lexo po ashtu Mali i Zi po rikthehet në Eurovision: Disa nga emrat që janë në garë për përfaqësuesin e vitit 2025

“Vëmë re, dhe faktet e konfirmojnë këtë, se performanca live e versionit të këngës nuk e rrezikoi vetë procesin e festivalit Montesong dhe as nuk mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar dhe renditjen tonë. Është gjithashtu fakt se ka pasur shumë shembuj të ngjashëm dhe se EBU gjithmonë ka vendosur që ato këngë të mund të marrin pjesë (njëra ka fituar edhe Eurovisionin), sepse nuk kanë pasur një avantazh konkurrues ndaj të tjerave, gjë që është e qartë për të gjithë. Megjithatë, ne thjesht nuk duam të jemi pjesë e ndonjë historie jashtë muzikës dhe as të promovojmë veprën e autorit tonë në atë mënyrë”, tha grupi më tej.

Ata gjithashtu theksuan se Eurosong nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i tyre në vetvete, por se “zgjerimi i fushës së aktivitetit tonë muzikor – sigurisht që është”.

“Dëshirojmë të falënderojmë menaxhmentin e RTCG për qëndrimin e tyre dashamirës dhe synimin për të na dhënë hapësirë për opsione të tjera. Besojmë se ata do ta kuptojnë vendimin tonë për t’u tërhequr nga Eurovizioni dhe i falënderojmë edhe për këtë. Mirënjohje e veçantë dhe e madhe për mbështetjen e kolegëve muzikantë, dashamirës të muzikës së mirë, miqve, të njohurve, gazetarëve dhe publikut të gjerë nga Mali i Zi dhe jashtë saj, që na dha forcë në ditët e fundit. Familjet tona së bashku me ne jetuan gjithë shkëlqimin dhe dëshpërimin e këtij procesi dhe tani është koha t’i shpërblejmë dhe t’i përkushtohemi në mënyrën e duhur. CLICKBAIT jeton si një këngë muzikore, por kemi frikë edhe si një fenomen social bashkëkohor. Edhe një herë, faleminderit të gjithëve. Tani le të mbështesim të gjithë së bashku Malin e Zi në Eurovizion”, deklaroi grupi ndër të tjerash. /Telegrafi/

Exit mobile version