Telegrafi

Grupi i Minskut kërkon armëpushim të menjëhershëm në Nagorni-Karabah

Presidenti rus, Vladimir Putin, ai francez, Emmanuel Macron dhe amerikan, Donald Trump kërkuan sot me një deklaratë të përbashkët ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve në Nagorni-Karabah, sipas presidencës franceze.

“Si liderë të vendeve të “Grupit të Minskut” për këtë çështje, tre presidentët kërkojnë, gjithashtu, që drejtuesit e Armenisë dhe Azerbajxhanit të angazhohen sa më shpejt në rifillimin e negociatave nën drejtimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE)”, sqaroi presidenca, raporton ATSh.

Sipas Kremlinit, presidentët rus, francez dhe amerikan përgatitën një deklaratë të përbashkët për situatën në Nagorni-Karabah, ku vazhdojnë luftimet mes Azerbajxhanit dhe forcave të territorit separatist, të mbështetura nga Armenia.