Grupet e punës nga pushteti dhe opozita maqedonase duhet të kenë takim deri në fund të kësaj jave për Ligjin për Prokurori Publike kurse ekipi i ekspertëve i OBRM-PDUKM-së duhet t’i dorëzojnë propozimet dhe vërejtjet e tyre ndërsa ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska pret përkrahje nga të gjithë deputetët duke theksuar se miratimi i ligji varet nga vullneti i partisë opozitare.
Për takimin e dakorduar deri në fund të kësaj jave njoftoi deputeti nga radhët e OBRM-PDUKM-së, Antonio Milloshoski në konferencë për shtyp, pas takim të pardjeshëm Bojan Mariçiq nga LSDM dhe Timço Mucunski nga OBRM-PDUKM,. ku u bisedua për zgjidhjet e mundshme për Ligjin për Prokurori Publike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas Deskoskës, mundësitë për t’i miratuar Ligji për Prokurori Publike, varen nga vullneti i vërtetë i OBRM-PDUKM-së, nëse kjo parti do t’i vendosë eurointegrimet para interesave të disa anëtarëve të caktuar partiak për të cilët ka procedurë kundër tyre në Prokurori dhe që u nisën nga PSP.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ekziston opsion që ligji të miratohet pa OBRM-PDUKM-në, ministrja Deskoska tha se nuk përjashtohet mundësia.
“Me këtë ligj pres përkrahje nga të gjithë deputetët dhe do të ishte mirë që të gjithë që deklarohet për eurointegrimin e vendit tonë të mbështesin këtë ligj, kështu që edhe ky opsion nuk përjashtohet”, tha Dekoska.
Ajo tha se po si qeveri kanë vullnet të sinqertë dhe të mirë për t’u miratuar ai ligj dhe se gjatë gjithë kohës ka qëndron se ligji duhet të zbatojë standardet ndërkombëtare dhe jo të pamundësojë amnisti për vepër penale që po hetohet për momentin apo është në procedim gjyqësor.
“Nëse OBRM-PDUKM e ka për vërejtje në ligj, nëse është vetëm për këtë, mund të arrijmë marrëveshje. Por, unë nuk mund të paragjykoj derisa nuk i shohim në letër qëndrimet dhe vërejtjet e tyre, për shkak se shpesh herë e thonë deklarativisht dhe amendamenti i shkruar dallon”, tha Dekoska duke shtuar se shpesh herë në ato amendamente fshihen qëllime të ndryshme, posaçërisht për rastet e PSP-së.
Milloshoski shpreson se në takimin e grupeve të punës do të ketë këmbim të argumenteve në mënyrë konstruktive në mënyrë që t’i përafrojnë qëndrimet rreth ligjit që do të miratohej me konsensus më të gjerë.
Për këtë ligj edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, theksoi se të gjithë në BE presin që të miratohet Ligji për Prokurori Publike para shpërndarjes së Kuvendit.
Ai vlerëson se Franca tashmë ka qëndrim më të butë nëse ndiqen të gjitha deklaratat e Emmanuel Macron.
“Unë mendoj se Franca tashmë ka një qëndrim më të butë, nëse i ndiqni të gjitha deklaratat e Presidentit Macron, nëse shihni atmosferën pozitive dhe se atje i vetmi kusht është miratimi i metodologjisë e re”, tha Osmani duke shtuar se nga ne pritet të miratojmë këtë ligj.
Osmani ju bëri thirrje të gjithë partive politike të miratojnë këtë ligj para miratimit të Kuvendit.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme për arritjen e marrëveshjes mes pushtetit dhe opozitës, çështje e Ligjit për PP po aktualizohet pas vizitës së eurokomesarit, Oliver Varheliy, i cili tha se përbërja kuvendare para shpërndarjes duhet të votojë ligjin që do të ishte një sinjal i mirë për vendet anëtare të BE-së për nisjen e bisedimeve./Telegrafi/