Telegrafi

Grumbullimi i dytë radhazi pa e ftuar, Sylvinho tregon pse Abrashi nuk është në listë

Amir Abrashi është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kombëtares së Shqipërisë në 10 vitet e fundit.

Mesfushori gjakovar ka qenë një titullar i padiskutueshëm gjithmonë te kuqezinjtë, po ka dy grumbullime radhazi që nuk ftohet.

E për mungesën e Abrashit i cili shpesh herë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Shqipëria ka folur trajneri brazilian Sylvinho.

Lexo po ashtu Sylvinho flet për listën e futbollistëve të ftuar dhe përballjen me Çekinë: Llogaritë i bëjmë në nëntor

Tekniku i kuqezinjve ka thënë se Abrashi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por ai nuk është ftuar shkaku i centimetrave.

“Siç e kemi thënë edhe në ndeshjet e shtatorit, Abrashi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por në këtë sfidë ne kemi nevojë për centimetra, sidomos në mesfushë. Gjasula është një zgjedhje e duhur, nëse e krahasoj me Abrashin”.

“Ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe na ka dhënë një ndihmë të madhe. Konkurrenca është e fortë dhe e rëndësishme”.

“Abrashi është një lojtar me shumë vlera, por zgjedhja është bërë për shkak se kemi nevojë për centimetra në mesfushë”, ka deklaruar Sylvinho.

33-vjeçari është në top formë këtë edicion, teksa si kapiten i skuadrës zvicerane Grasshopper i ka luajtur të gjitha nëntë ndeshjet në Zvicër. /Telegrafi/