Amir Abrashi është një nga futbollistët më të rëndësishëm të Kombëtares së Shqipërisë në 10 vitet e fundit.
Mesfushori gjakovar ka qenë një titullar i padiskutueshëm gjithmonë te kuqezinjtë, po ka dy grumbullime radhazi që nuk ftohet.
E për mungesën e Abrashit i cili shpesh herë ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Shqipëria ka folur trajneri brazilian Sylvinho.
Tekniku i kuqezinjve ka thënë se Abrashi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por ai nuk është ftuar shkaku i centimetrave.
“Siç e kemi thënë edhe në ndeshjet e shtatorit, Abrashi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por në këtë sfidë ne kemi nevojë për centimetra, sidomos në mesfushë. Gjasula është një zgjedhje e duhur, nëse e krahasoj me Abrashin”.
“Ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe na ka dhënë një ndihmë të madhe. Konkurrenca është e fortë dhe e rëndësishme”.
“Abrashi është një lojtar me shumë vlera, por zgjedhja është bërë për shkak se kemi nevojë për centimetra në mesfushë”, ka deklaruar Sylvinho.
33-vjeçari është në top formë këtë edicion, teksa si kapiten i skuadrës zvicerane Grasshopper i ka luajtur të gjitha nëntë ndeshjet në Zvicër. /Telegrafi/