Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski dhe kushëriri i tij Sasho Mijallkov kanë kërkuar nga Gjykata Penale në Shkup t’ua kthejë pasaportat. Pas dy muajve pasi gjykata vendosi t’ua merr pasaportat, si të akuzuar në lëndët e PSP-së, ata kanë kërkuar dokumentet e udhëtimit.
Informacionin për TV24 e kanë vërtetuar avokatët e Gruevskit dhe Mijallkovit. Sipas tyre, kërkesat e tyre nuk janë diçka e re, por praktikë e njohur gjyqësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Argumentet kryesore të Gruevskit dhe Mijallkovit kanë qenë se pasporta ju duhet për shkak të udhëtimeve të shpeshta jashtë vendit, ndërsa si siguri shtesë se nuk do të largohen nga vendi përmendën satusin e tyre familjar dhe atë se kanë detyra në vend për shkak të bizneseve.
PSP kërkoi paraburgim për Gruevskin si i akuzuar në lëndën “Titanik” për parregullsi zgjedhore, ndërsa gjykata vendosi që si masë t’ia merr pasaportën dhe detyrë që një herë në javë të paraqitet në gjykatë.
Ndërsa Sasho Mijallkov ngarkohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të çmimeve në mënyrë joligjore, në lëndët “Shënjestra” dhe “Fortesa”./Telegrafi/