Aq shpesh më thërrasin në gjykatë sa që filloj të ndihem sikur vij në punë dhe të kërkoj zyrë dhe rrogë, deklaroi ish-kryeministri dhe ish-kryetar i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski, pas seancës së sotme për rastin “Trajektorja”.
Gruevski theksoi se sot ka ardhur në gjykatë për diçka, për çka është akuzuar, që është njëjtë si në rastin “Tanku”.
“Aktakuza ndaj meje është se i kam nxitur bashkëpunëtorët e mi të furnizohen me automjet të blinduar, ndërsa në rastin e dytë të ndërtohen rrugë. Unë e kam bërë atë me qëllim që të shpërblehem, por jo shpërblim në të holla apo shpërblim financiar, por në rastin me Mercedesin çmimi është se kam hipur në automjet që të shkoj diku, ndërsa në rastin me rrugët kam marrë pikë politike”, deklaroi Gruevski.
Theksoi se nga të gjitha gjykimet tani për tani përshtypja është se nuk ka gjasa për proces të drejtë gjyqësor dhe për drejtësi.
“Gjyqësia po shndërrohet në një gijotinë politike klasike dhe po shohim një gjyqësi të robëruar. Po shohim gjykatës të cilët janë në situatë të pakëndshme dhe është bërë presion ndaj tyre. Kur i lexojnë disa nga vendimet e tyre, i lexojnë shpejt, në mënyrë që sa më shpejt të përfundojë turpi”, tha Gruevski.
Akuzoi se, gjithashtu, është i dukshëm trajtimi i pabarabartë nga gjykatësit dhe se në gjykatë luftojnë dhe humbin kohë të fitojnë të drejta elementare që u takojnë me ligj.
Në rastin “Trajektorja” të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Ljupço Georgievski se në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë disa veprime me të cilat në procedurën për zgjedhje të kompanisë për ndërtim të autostradave Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Me këtë, sipas PSP-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit shtetëror prej së paku 155 milionë eurove dhe për të njëjtën shumë, kompanisë realizuese të punimeve i kanë mundësuar të përfitojë dobi pronësore.