Bartësi i listës për njësinë zgjedhore 1 Artan Grubi, në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni, ka thënë se votuesit shqiptarë duhet të unifikohen që të mos përçahet vota shqiptare.
Sipas Grubit, ndarja e votës në parti të vogla do të sjellë sërish dobësimin e faktorit shqiptar dhe përfaqësimit në kuvend, siç ishte rasti me vitin 2011 kur u humbën 4 mandate shqiptare.
“Duke pas këtë parasysh edhe këtë arsye, kryetari Ahemti i ftoi partitë e vogla dhe iniciativat qytetare që të bashkohen në mënyrë që të fitojnë shqiptarët dhe të fitojë kombi shqiptar. Pasi këto parti të vogla dhe iniciativa u bënë copë-copë dhe pikë e pesë, akoma pa fituar legjitimitetin, atëherë shqiptarët në zgjedhjet e 11 dhjetorit kanë vetëm një zgjedhje, atë që të bashkohen, me Ali Ahmetin dhe BDI-në”, deklaroi Grubi.
Këto zgjedhje janë historike dhe jashtëzakonisht të rëndësishme andaj dhe përçarja e votës dhe shkuarja huq e votës nuk duhet lejuar nga votuesi shqiptar, shtoi më tej Grubi.
“Çdo votë për këto iniciativat e përçara, shkon në favor të OBRM-PDUKM dhe LSDM-së, duke dobësuar jashtëzakonisht prezencën shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë dhe duke dëmtuar interesat shqiptare”, u shpreh Grubi.
Partitë shqiptare arritën një numër të madh të deputetëve në vitin 2008 kur u arrit numri i 29 mandateve të përfaqësuar nga 29 deputetë shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë.