Telegrafi

Grubi rikonfirmon informacionin se Bullgaria nuk ka kërkesa të reja ndaj Maqedonisë së Veriut

“Nuk ka kërkesa të reja, dokumente të reja dhe pritje të tjera të reja përveç asaj që u arrit në marrëveshjen e fqinjësisë së mirë dhe marrëveshjen që Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani nënshkroi së fundmi në Sofje”, këtë e theksoi nënkryetari i parë i Qeverisë dhe ministri i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, Artan Grubi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për kërkesat e reja që, sipas opozitës, janë paraqitur nga Republika e Bullgarisë.

“Ajo që u shpjegua në opinion dhe ajo që u miratua nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbetet e njëjtë. Qytetarët duhet të binden dhe t’i besojnë elitës politike në vend se maqedonasve nuk do t’u ndodhë asgjë e keqe për gjuhën, historinë, kulturën dhe identitetin e tyre. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Absolutisht pohoj, nuk ka kërkesa të reja, as dokumente të reja”, theksoi Grubi pas përfundimit të ceremonisë në Shkollën për liderë të rinj që u mbajt në Leunovë.

Ideja se Bullgaria do të paraqiste kërkesa të reja ndaj Maqedonisë së Veriut erdhi pas deklaratës së ministrit teknik për Punë të Jashtme të Bullgarisë se do të nënshkruhet nje dokument kushtëzues ndaj Maqedonisë që do të garantonte plotësimin e të gjtha kërkesave bullgare.