Fjalimi i presidentit Gjorge Ivanov para deputetëve në Kuvend, ka shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike, por edhe nga deputetët aktual.
Frosina Remenski nga radhët e LSDM-së thotë se retorika e sotme e Gjorge Ivanovit ishte e njëjtë me atë të OBRM-PDUKM-së, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Ivanov nuk ka arritur të përmirësohet dhe të jep kontribut për tejkalimin e konflikteve. Fjalim i turpshëm partiak. Dhjetë vite Ivanov për asgjë nuk ka ngritur zërin”, tha Remenski.
Ndaj fjalimit të Ivanovit ka reaguar edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, i cili fjalimin e presidentit e quajti oksimoron.
“Nëse e vendosim në poligraf, nuk mund të duket se ç’farë është thelbi dhe cilat janë mesazhet. Kemi mbi 26 vërejtje, por pjesa kryesore është për Ligjin për gjuhët. Me këtë ligj formësohet Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar nga gjitha partitë dhe presidenti Boris Trajkovski”, tha Grubi.
Ai gjithashtu shtoi se deklarata e Ivanovit për fqinjët është skandaloze dhe kërkoi që presidenti të kërkojë falje nga Kosova./Telegrafi/