Gjashtë gra të kthyera nga Siria në Kosovë, janë paraqitur të mërkurën në seancë dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak për gratë që kishin qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, ndërkohë mbrojtja e tyre e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se ato kanë nevojë për rehabilitim dhe qëndrim me fëmijët e tyre.
Kimete Krasniqi, avokate e njërës prej grave që po hetohet, ka thënë se e ka kundërshtuar caktimin e masës së arrestit shtëpiak, meqë sipas saj e mbrojtura e saj ka qenë e mashtruar nga burri.
“Jemi në fazën fillestare të hetimeve, nuk ka asgjë që është vërtetuar që ka kryer vepër penale, mirëpo sipas dyshimeve të prokurorisë me pjesëmarrjen e saj ka kryer atë vepër, mirëpo nuk është ajo për shkak se e mbrojtura ime ka qenë e mashtruar nga burri i saj, tashmë i ndjerë, i cili është vrarë pas tre muaj qëndrimi atje, dhe i cili ka kryer roje sipas të mbrojturës sime. E kundërshtova kërkesën e prokurorisë për caktimin e arrestit shtëpiak për shkak se e mbrojtura ime është nën e një djali 5 vjeçar dhe për të cilin nuk ka kush të kujdeset për”, tha ajo.
Ndërsa Arbnora Zeqiri, një tjetër avokate tha se prokuroria deri tani nuk ka paraqitur prova me të cilat plotësohen kushtet për caktimin e kësaj mase.
“Ne si mbrojtje e kemi kundërshtuar këtë masë të arrestit shtëpiak për shkak se prokuroria deri tani nuk ka paraqitur prova me të cilat plotësohen kushtet për caktimin e kësaj mase, duke marrë parasysh edhe rrethanat e këtyre grave të cilat janë kthyer nga Siria. Po ashtu për faktin se këto gra janë familjare, me fëmijë, shumica prej tyre jetojnë pa burra, disa ju kanë vdekur bashkëshortët e tyre dhe nevoja për të qenë pranë familjes dhe për tu kujdesur për fëmijët e tyre është më se e domosdoshme”, tha ajo.
Sipas mbrojtjes, kufizimi i lirisë së këtyre grave do të ndikonte negativisht në risocializimin dhe kujdesin për vetën dhe fëmijët e tyre. Gratë, që ishin në pesën e 110 kosovarëve që shteti i Kosovës i ka kthyer në vend javën që shkoi, dyshohet të kenë kryer veprën penale pjesëmarrje dhe organizim në grupin terrorist./Kp/Telegrafi/