Njëzet minuta përpara se aeroplani të largohej nga kryeqyteti iranian, Sheyda Shadkhoo e thirri burrin e saj. Ajo dëshironte që ai ta siguronte atë se gjithçka do të ishte mirë.
Kështu ka bërë të ditur burri i saj, i cili sipas një shkrimi të CNN, përcjell Telegrafi, ka bërë të ditur se ajo kishte marrë tre javë pushim nga puna e saj në Toronto për të vizituar nënën dhe motrat e saj në Teheran.
Pushimet e saj kishin mbaruar dhe ajo po shkonte përsëri në Kanada te burri i saj, Hassan Shadkhoo.
Aeroplani i saj ishte duke u larguar nga Teherani për në kryeqytetin ukrainas Kiev, herët të mërkurën.
“Unë fola me të… 20 minuta para se të nisej aeroplani”, tha ai të mërkurën në mbrëmje në Toronto.
Sipas tij, ajo ishte e shqetësuar për tensionet midis Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara pasi presidenti Donald Trump urdhëroi vrasjen e një gjenerali të lartë iranian javën e kaluar.
“Ajo dëshironte që unë ta siguroja atë se nuk do të bëhej luftë. Unë i thashë të mos shqetësohej. Asgjë nuk do të ndodhë”, ka rrëfyer burri i saj. “Ajo tha ‘Në rregull. Ata po më thonë që të fik telefonin tim. Mirupafshim’”.
Por fluturimi i Ukraine International Airlines nuk arriti destinacionin.
Kjo pasi që u rrëzua në Teheran pak minuta pas ngritjes, duke vrarë të gjithë 176 personat në bord, përfshirë Sheyda Shadkhoo dhe 62 kanadezë të tjerë.
Dhe për këtë, Hassan Shadkhoo mendon se gruaja e tij kishte një parandjenjë që aeroplani do të rrëzohej dhe ishte e shqetësuar për njerëzit që linte pas.
Ajo postoi një selfie në Instagram duke shprehur frikën e saj para se të linte Iranin.
“Ajo e dinte. Shikoni fytyrën e saj, shikoni fjalët që ajo shkroi”, tha ai ndërsa mbante telefonin për të treguar foton që ajo postoi. Pastaj lexoi fjalët që ajo shkruante.
“Unë po largohem por … ajo që mbetet pas më shqetëson”, lexoi ai. “Pas meje, pas meje. Kam frikë për njerëzit që mbesin pas meje”.
Hassan Shadkhoo tha se ai është shkatërruar dhe nuk mund ta imagjinojë jetën pa gruan e tij prej 10 vjetësh.
Ai ishte duke shkuar për të parë të afërmit e gruas së tij në Teheran të mërkurën natën.
Përplasja erdhi disa orë pasi Irani gjuajti një numër raketash në dy baza irakiane ku gjendeshin të vendosura trupat amerikane, në hakmarrje për vrasjen e gjeneralit, duke shkaktuar spekulime për shkakun e incidentit. /Telegrafi/