Jurgen Klopp e mori drejtimin e Liverpoolit në vitin 2015 dhe tashmë e ka shndërruar skuadrën në një fuqi evropiane. Në edicionin e kaluar e fitoi Ligën e Kampionëve dhe ishte shumë pranë që ta fitonte Ligën Premier.
Ndërkohë që këtë sezon është në rrugë të mirë për t’u shpallur kampion i Anglisë, gjë që do t’ua sillte Redsave titullin pas shumë viteve.
Mirëpo, gjërat kanë mundur të jenë ndryshe, duke qenë se strategu gjerman ka mundur të jetë trajner i Manchester Unitedit. Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Phil Thompson, ka bërë të ditur se Djajtë e Kuq ishin përpjekur ta angazhonin 52-vjeçarin, por gruaja e tij, Ulla, e kishte penguar kalimin e tij në Old Trafford.
“E kam intervistuar Kloppin për Sky dhe e kam pyetur nëse ai dhe Liverpooli ishin krijuar për njëri-tjetrin. Ai më shikoi dhe më pyeti: ‘Pse?’. Pastaj Klopp më tregoi se ka mundur ta merrte drejtimin e Manchester Unitedin, por gruaja e tij i kishte thënë se nuk duhej ta bënte”.
‘Kur Liverpooli e kishte kërkuar, gruaja e tij i kishte thënë se ishte gjëja e duhur për ta bërë. Ka diçka të çuditshme këtu. Është sikur ai të jetë i krijuar për Liverpoolin”, ka deklaruar Thompson për TV2 në Norvegji.
Gruaja e Kloppit, Ulla Sandrock, një punonjëse sociale dhe shkrimtare librash për fëmijë, i kishte parashikuar problemet aktuale të Unitedit, ndërsa 65-vjeçari Phil Thompson është i lumtur që Liverpooli po përfiton nga këshilla e gruas së trajnerit. /Telegrafi/