Telegrafi

Gruaja e Di Marias i përgjigjet Ramit: Ai mund të të mësojë edhe se si të shënosh gola në finale

Gruaja e Angel Di Marias, Jorgelina Cardoso është bërë personi i fundit që është përfshirë në sherrin mes lojtarëve argjentinas dhe Adil Ramit pas triumfit të Albicelesteve në Kupën e Botës 2022.

Rami sulmoi portierin Emiliano Martinez për sjelljen e tij në finale, ndërsa Di Maria mbështeti shokun e tij të skuadrës në mediat sociale përpara se francezi të sulmonte edhe anësorin e Juventusit.

Rami e quajti Martinezin njeriu më i urryer në futboll pas festimeve të diskutueshme të këtij të fundit.

Di Maria i kërkoi Ramit që “të shkojë të qajë diku tjetër” dhe ish-reprezentuesi francez u përgjigj duke i kërkuar argjentinasit ta mësonte “si të qajë”, duke ia publikuar disa foto këtë të fundit.

Pikërisht atëherë Cardoso u përfshi në sherr duke i postuar Ramit një mesazh në spanjisht dhe frëngjisht.

Partnerja e Di Marias i është përgjigjur Ramit me një tjetër histori në Instagram ku ajo goditi fituesin e Kupës së Botës 2018.

“Angel mund të të mësojë si të qash, të trajtosh një grua si zotëri dhe të shënosh gola në finale. Gëzuar vitin e ri gjeni!”, ka shkruar Cardoso.

Postimi i Cardosos përfshinte fotot që Rami kishte shpërndarë më parë të Di Marias duke qarë në raste të ndryshme, si dhe një lajm që përfshinte akuza nga ish e dashura e Ramit, Pamela Anderson , e cila tha se francezi e torturoi atë “fizikisht dhe emocionalisht”. /Telegrafi/