Telegrafi

Gruaja e “armatosur” me revole të plastikës mban peng punonjësit e një banke në Bejrut – ngjarjen e transmeton direkt

Sally Hafez, 28-vjeçe, “pushtoi” ballinat e gazetave kur u fut në një bankë në Bejrut të Libanit, duke i kërcënuar punëtorët me revole të plastikës.

Incidenti ndodhi në bankën Blom në qendër të Bejrutit, ku kjo grua kërkoi që t’i lëshohen paratë të cilat i ishin ngrirë nga llogaria, transmeton Telegrafi.

Kjo është kriza e dytë e pengmarrjes që ndodhi brenda dy muajve, si rezultat i një krize të madhe bankare ku qytetarët ankohen se nuk kanë qasje në paratë e tyre.

E në mungesë të valutave të huaja, bankat po refuzojnë t’i paguajnë qytetarët në një “valutë të fuqishme”.

Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale, shfaq një grup qytetarësh që hyjnë në bankë, e gruaja e identifikuar si Sally Hafez nxjerr revolen dhe i merr peng disa persona.

Dëshmitarët në mesin e të cilëve ishte edhe fotografi i AFP-së, pretendon se Hafez dhe bashkëpjesëmarrësit në këtë krim, e spërkatën bankën me benzinë.

Hafez e transmetoi ngjarjen direkt në rrjetet sociale, dhe tha se “nuk do të vrasë askënd e as që do t’ia vë zjarrin bankës”, por se thjesht po lufton për të drejtat e saj.

Pas intervenimit të policisë, ajo është arrestuar kurse për Reuters kanë konfirmuar se askush nuk është lënduar në këtë incident. /Telegrafi/