Site icon Telegrafi

Gruaja britanike ‘mbeti pa fjalë’ pasi gjeti unazën e fejesës të cilën e kishte humbur 54 vjet më parë

Një grua është ribashkuar me unazën e saj të fejesës 54 vjet pasi ajo u zhduk.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Marilyn Birch, nga Pontardawe në Neath-Port Talbot të Uellsit tha se ishte një ribashkim “emocional”.

Zonja Birch, 76 vjeçe, humbi unazën teksa ushqente bagëti me sanë në fermën familjare në vitin 1970.

Dhe pasi “humbi gjurmët”, ajo nuk mundi të gjente gjëkund bizhuterinë.

“Vazhdova të kërkoja herë pas here vetëm nëse rastësisht mos e dalloja diku”, tha zonja Birch.

“Përfundimisht [ne] hoqëm dorë dhe vendosëm se nuk do ta shihnim më kurrë atë unazë fejese”.

Por Keith Phillips kishte ide të tjera.

Ai ishte thirrur në fermë disa herë kohët e fundit për të eksploruar tokën për thesaret e saj.

“Ai na tregonte monedha të ndryshme dhe copa e copa që do të gjente në pjesë të ndryshme të fermës”, shtoi zonja Birch.

“Dhe një mbrëmje kur ai po largohej nga këtu, i thashë si me shaka: ‘Tani, dëgjo tani Keith, mos u shqetëso për gjithë këto mbeturina që po gjen, shko dhe gjej unazën time të fejesës’”.

Ata të dy qeshën në atë kohë, por një javë apo më shumë më vonë z. Phillips shkoi përsëri për të kërkuar unazën e fejesës së zonjës Birch.

“[Ishte] varrosur rreth 20 centimetra poshtë në një nga fushat”, tha ajo. “Mbeta pa fjalë”. /Telegrafi/

Exit mobile version