Telegrafi

Griezmann: Kam fituar tre finale, çfarë duhet të bëj më shumë për ta fituar ‘Topin e Artë’, apo çmimet tjera?

Antoine Griezmann e ka fituar Ligën e Evropës, Kupën e Botës dhe Superkupën e Evropës këtë vit, por nuk i ka mjaftuar të futet në mesin e tre lojtarëve më të mirë nga FIFA.

Ai ka shkëlqyer duke shënuar 29 gola në sezonin e shkuar dhe 4 gola në Kampionatin Botëror.

“Ishte sezoni më i mirë i karrierës sime, sepse këtë radhë fitova tre trofe, përtej numrit të golave”.

Në listën për ‘FIFA The Best’,  Griezmann mungon dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak francezit.

“FIFA The Best është një çmim që e jep FIFA, që organizoi Botërorin e Rusisë. Si ka mundësi që në treshen e kandidatëve për të fituar çmimin nuk kishte asnjë futbollist francez?”.

Vitin e shkuar Griezmann doli i 18-ti në renditjen për Topin e Artë, para dy vitesh doli i treti.

“Mendoj që mund të konkurroj për të fituar Topin e Artë dhe do të ishte e mrekullueshme ta fitoja, sepse është një çmim i pakrahasueshëm”.

Antoine Griezmann (Foto: Getty Images)

“Në vitin 2016, unë humba finalen e Evropianit dhe isha pjesë e treshes së parë. Këtë vit kam fituar tre finale dhe mendoj që është logjike të pretendoj atë çmim”, ka thënë francezi.

Në listën e ngushtë të ‘FIFA The Best’ janë Luka Modric, Mohamed Salah dhe Cristiano Ronaldo. /Telegrafi/