Site icon Telegrafi

Greva në arsim hyn në javën e katërt – përplasjet në Komisionin për arsim dhe gjithçka nga takimet e së mërkurës

Greva në arsim po hynë në javën e katërt, ndërkaq Qeveria dhe SBASHK-un nuk po e gjejnë zgjidhjen për tejkalimin e situatës dhe nisjen e vitit shkollor.

Derisa nga Qeveria e Kosovës thonë se kanë bërë hapa para, duke përmendur edhe ndarjen e shtesës prej 50 euro për punëtorët e sektorit publik, nga SBASHK-u kërkojnë 100 euro deri në miratimin e Ligjit për paga.

Në tërë këtë situatë nxënësit e sektorit publik kanë mbetur jashtë bankave shkollore, derisa është viti i tretë që procesi mësimor nuk është i rregullt, fillimisht për shkak të pandemisë dhe tash për shkak të grevës.

Megjithëse të mërkurën Komisioni për Arsim kishte mbledhje dhe të pranishëm ishin edhe përfaqësues të SBASHK-ut, situata vetëm sa u acarua me debatet e ashpra aty.

Edhe nga takimi i drejtoreshës së Unionit të Sindikatave të Arsimit në Evropë, Susan Flocken me kryeministrin Albin Kurti nuk doli zgjidhje.

Flocken ka rekomanduar që në dialogun mes SBAShK-ut dhe Qeverisë të përfshihet një palë e tretë.

Drejtoresha e Unionit të Sindikatave të Arsimit në Evropë, Susan Flocken, ka thënë se kërkesat e mësimdhënësve duhet të dëgjohen, pasi që greva është mjeti i fundit që mund të përdoret.

“Ne duhet të jemi të qartë se greva është gjithmonë mjeti i fundit qe sindikatat duhet të kërkojnë, ato duhet të përpiqen për dialog, ka shumë alternativa tjera që mund të përdorësh në bisedime me Qeverinë, në bisedime me autoritetet, para se te shkosh në greva, pra nënkupton se është me të vërtetë mjeti i fundit, opsioni i fundit për te shkuar në grevë dhe mësuesit kanë vërtetë kërkesa serioze, ata duan te dëgjohen, duan të marrin një përgjigje nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Sipas saj, është në duar të SBAShK-ut të vendosin nëse duan të vazhdojnë me grevë apo ta ndalin.

Por para takimit të Flocken me përfaqësues të SBASHK-ut dhe pastaj me kryeministrin Albin Kurti, Komisioni për Arsim ka mbajtur mbledhje.

Në këtë Komision të pranishëm ishin edhe përfaqësues të SBASHK-ut, ndërkaq situata eskaloi pas fjalimit të deputetit Dimal Basha.

Mbledhja e Komisionit për Arsim

Në kohën kur në mbledhje të Komisionit për Arsim po debatohej për grevën e punëtorëve të arsimit dhe deputeti Dimal Basha po fliste rreth ndarjes së buxhetit për këtë sektor eskaloi debati dhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj lëshoi mbledhjen e Komisionit.

Deputeti Basha gjatë fjalës së tij në Komision tha se kur të përmblidhen të gjitha shtesat e ndara nga Qeveria kuptohet se arrihet zbutja e inflacionit, raporton Telegrafi.

“Sektori privat i ka 300 mijë punëtorë që paguajnë taksa dhe na i paguan pagat edhe neve edhe mësuesve.. 105 mijë qytetarë që punojnë nën pagën minimale…Nuk mundemi me mendu vetëm për mësimdhënësit”, tha ai.

Është mesi i ndamë… Qeveria i ka nda paret… pyetja është sa është e sinqertë kërkesa? Pse po mbahen fëmijët peng?… Pse nuk kishte grevë në korrik e gusht, e të kishin nejt mësuesit në shkolla… po jo kur i keni marrë fëmijët peng kanë nis edhe greva”, tha Basha, duke shtuar se si është e mundur një kryetar i Sindikatës të kërkoj që një deputeti të mos i jepet fjala.

Ndërkaq, përfaqësues të SBASHK-u i thanë Bashës “mos i jep shumë zor”, ku pasoi reagimi i Bashës duke thënë se “këtu jam në shtëpi tem.. ju tregova zgjedhjet që ka dhënë qeveria”.

Pas kësaj, kryetari i SBASHK-ut lëshoi mbledhjen e Qeverisë.

Mirëpo, debati i nisur mes tij dhe deputetit Basha ka vazhduar edhe në hollin e Kuvendit.

Deputeti Dimal Basha iu drejtua Jasharajt duke i thënë se nuk është i sinqertë në kërkesat e tij dhe se po i mbanë peng fëmijët.

“Je i pasinqertë në kërkesat e tuaja, i ke marrë fëmijët peng”, iu drejtua Basha, Jasharajt.

Kryetari i SBASHK-ut iu përgjigj deputetit duke i thënë se “a pe sheh çfarë fjalori ki, marre duhet me të ardh”.

Debati nuk ka përfunduar këtu. Deputeti i LVV-së, Basha iu drejtua sërish Jasharajt.

“Pse fjalori, kuj duhet mi ardh marre a ty që i mban fëmijët peng a mu këtu që kërkoj mu ndal greva, se i donë ti 100 euro. Dinjitetin e ki kthy në pare. A ke punu para luftës pa pare tash për 50 euro pi mban fëmijët peng”, iu drejtua Basha, Jasharajt.

Jasharaj sërish iu përgjigj duke i thënë “a pe sheh qysh po bërtet, deputet si ti e kanë sjell punën këtu”.

Pas tërë këtyre takimeve dhe situatës së krijuar, në pret e pasdites ka reaguar kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola (LVV), duke folur  lidhur me debatet e përplasjet e ashpra sot me përfaqësuesit e SBASHK-ut në këtë komision, ka treguar edhe për gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit e sindikatave.

“Shumë mirë pra! Meqë keni vendosë që në vend të kritikës dhe diskutimit racional, duke lënë komplet jashtë vëmendjes publike dy orë diskutim goxha të maturuar të mazhorancës për grevën në Komision, të moralizoni duke u marr me nivelin e edukatës së deputetit Dimal Basha, zgjerojeni fokusin e moralizimit dhe vlerësojeni përgjigjen e njërit prej përfaqësuesve te SBAShK-ut në Komision kur tha: “mos na lodhë b***”, ose asaj tjetrës kur bënte politikë në Komision duke thënë se për t’u ngrohur gjatë dimrit do të shkojnë në veri”.

“Tashmë as unë nuk e di se çka përfaqësohet me këtë gjuhë. Por e di që mësimdhënësit dhe interesat e tyre jo”, ka thënë Gola.

Ndryshe, pas gjithë këtyre takimeve dhe të drejtoreshës Flocken me Kurtin, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se e pavarësisht përpjekjeve të zonjës Flocken Qeveria nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj dhe se greva vazhdon. /Telegrafi/

Exit mobile version