Drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken ditë më parë përmes një lidhje online me SBASHK-un ka mbështetur grevën në arsim dhe ka kundërshtuar veprimet e Qeverisë Kurti.
E për këtë ajo pritet që të mërkurën të vij në Kosovë, ndërsa pritet edhe një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Rrahman Jasharaj, nga Këshilli Grevist, në një prononcim për Telegrafin tha se të mërkurën pritet të ketë një takim drejtoresha e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Takimin na e ka konfirmuar vet Flocken nëpër mesazheve e telefonatave. Flocken është përfaqësuese e 11 milionë të të punësuarve të arsimit nga të gjitha vendet e Evropës, pjesë e së cilës jemi dhe ne. Ajo ka ndërprerë të gjitha angazhimet atje, për të na mbështet. Nesër do ta marrim vesh orën e saktë se kur do të takohen Flocken dhe Kurti”, ka thënë Jasharaj.
Ai po ashtu theksoi se ardhja e saj ka një mesazh të veçantë.
“Më në fund pas insistimit të sekretarisë dhe njerëzve në Bruksel, kryeministri Kurti ka pranuar të takohet me Flocken. Ardhja e saj ka një mesazh të veçantë”, ka thënë Jasharaj.
Ndryshe, ditë më parë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, kishte zhvilluar një komunikim online me drejtoreshën e Përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Susan Flocken.
Flocken kishte mbështetur grevën në arsim dhe ka kundërshtuar veprimet e Qeverisë Kurti.
“Përcjellni përkrahjen time dhe të gjithë anëtarësisë së sindikatave të arsimit të Evropës për grevistët dhe Kryetarin e SBASHK-ut”, ka thënë ajo. /Telegrafi/