Site icon Telegrafi

Greta Thunberg deklarohet në gjyq, thotë se është e pafajshme

Aktivistja e klimës Greta Thunberg u deklarua e pafajshme në një gjykatë britanike sot, për prishjen e rendit publik muajin e kaluar kur u arrestua në një protestë për klimën në Londër.

Policia arrestoi 20-vjeçaren më 17 tetor, pasi ajo dhe dhjetëra protestues bllokuan hyrjen e një hoteli ku po mbahej një konferencë për naftën dhe gazin, transmeton Telegrafi.

Thunberg deklaroi vetëm emrin dhe datën e lindjes në gjykatë sot, dhe gjykata caktoi seancën e parë më 1 shkurt në Gjykatën e Westminster në Londër.

Policia po e akuzon Thunberg për prishje të rendit publik dhe mospërmbushje të kushteve të vendosura nga policia për të parandaluar “përçarje serioze për komunitetin, hotelet dhe mysafirët e hotelit”, transmeton Telegrafi.

Thunberg u bë një aktiviste klimatike në vendlindjen e saj, Suedinë në vitin 2018, dhe përfundimisht filloi të udhëtonte nëpër botë dhe të merrte pjesë në mitingje në protesta kundër shfrytëzimit të lëndëve djegëse fosile.

Policia e Londrës e akuzoi atë më 18 tetor dhe e liroi me kusht. Nëse shpallet fajtore, ajo përballet me një gjobë deri në 2,500 funte (2,867 euro).

Para arrestimit të saj në Britani, policia në Suedi, Norvegji dhe Gjermani gjithashtu u mor me Thunberg këtë vit duke e ndaluar dhe larguar nga vendi i protestës. /Telegrafi/

Exit mobile version