Telegrafi

Greqia rihap bankat për pensionistët

Qeveria greke, në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave Greke do të rihapë rreth 1000 degë bankash ditën e mërkurë, të cilat do t’u japin para pensionistëve, të cilët nuk kanë karta debiti.

Ministria greke e Financave njofti të martën se degët do të mbahen hapur deri në fund të ditës dhe do t’u shërbejnë vetëm pensionistëve të cilët nuk mund të tërheqin para nga bankomatët. Pensionistët do të mund të tërheqin deri në 120 euro nga pensioni i tyre deri në fund të javës, transmeton shekulli.

Bankat do të qëndrojnë mbyllur deri ditën e hënë, më 6 korrik. Megjithatë, qeveria greke nuk e ka konfirmuar hapjen e tyre më 7 korrik. Grekët do të votojnë të dielën, më 5 korrik, ku do të vendosin nëse do t’i pranojnë apo t’i refuzojnë propozimet e kreditorëve për marrëveshjen e borxhit.