Telegrafi

Greqia refuzon ndihmën e Shqipërisë, reagon ministri i Mbrojtjes

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka reaguar në lidhje me refuzimin nga pala greke të ekipeve të zjarrfikëseve që shprehën gadishmërinë për të ndihmuar me situatën e zjarreve shtetin fqinj.

Përmes një postimi në Facebook, Peleshi shkruan se një ekip me 58 efektivësh dhe 10 mjetesh nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, u dislokuan në afërsi të kufirit me Greqinë, për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve greke për përballimin e situatës së zjarreve.

Peleshi shton se ekipet e zjarrfikëseve nuk e kaluan kufirin, për shkak se pala greke nuk e pranoi ndihmën e dhënë duke thënë se nevojat janë plotësuar nga vendet e tjera të BE-së.

Ministri në reagimin e tij shpreh solidaritetin me shtetin grek dhe uron që situata problematike e zjarreve të përfundojë sa më shpejt.

Lexo po ashtu Greqia refuzon ndihmën e Shqipërisë për zjarret, kthehen pas zjarrfikëset

Postimi i Plotë:

Të tronditur dhe të shqetësuar për situatën e rëndë që Greqia fqinje po përjeton nga zjarret masive, të cilat nuk kanë kursyer as jetët e njerëzve. Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave të kësaj tragjedie!

Shqipëria, përmes Ministrisë së Mbrojtjes dhe nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka treguar gatishmerine e menjëhershme pas kërkesës për ndihmë të dërguar nga Greqia në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.

Një ekip me 58 efektivë dhe 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e tjera operative të Sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare, më konkretisht, strukturat zjarrfikëse nga Bashkia Korçë, Dropull, Maliq dhe Gjirokastër u dislokuan në afërsi të shtetit fqinj, në ndihmë të kolegëve grekë, ne pritje te konfirmimit nga pala greke për ndërhyrje në zonat ku ata kane nevoje.

Ndërkohë, pas kësaj, nga pala greke jemi njoftuar se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore të ofruar nga Shqiperia për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera.

Ministria e Mbrojtjes uron që situata e rëndë në vendin mik të kalojë sa më shpejt dhe sa më lehtë dhe mbetet e anagazhuar për t’iu bërë krah miqve, partnerëve dhe fqinjëve në çdo rast kur kërcënimi bën të nevojshëm riafirmimin e parimeve që na bashkojnë. /Telegrafi/