Telegrafi

Greqia do përshpejtojë marrjen e lejeqëndrimeve, mijëra shqiptarë i shtohen fuqisë punëtore

Greqia po bëhet gati të shpejtojë dhe modernizojë procedurat për marrjen e lejeqëndrimit, në mënyrë që emigrantët e ligjshëm të futen më herët në tregun e punës.

Ministria e Emigracionit dhe Azilit është duke vlerësuar kornizën juridike për emigracionin e ligjshëm, për ta çuar së shpejti në Kuvend.

Emigrantët shqiptarë do të jenë përfituesit e mëdhenj të ligjit të ri, duke qenë se përbëjnë rreth 60 për qind të gjithë të ardhurve në mënyrë të ligjshme. Në Greqi numërohen afërsisht 50 mijë refugjatë, ndërsa 700 mijë persona janë emigrantë të ligjshëm, shumica shqiptarë, gjeorgjianë dhe pakistanezë.

Ekspertët e legjislacionit për emigrantët thonë se sistemi aktual është në kolaps.

Në drejtoritë e emigracionit në Atikë deri tani llogariten se rreth 200 mijë aplikime për leje-qëndrimi janë në pritje.

Me ligjin e tanishëm, emigrantët e ligjshëm duhet të presin deri në tre vjet për rinovimin e lejes së qëndrimit, ndërsa procedura e azilit përfundon brenda pak muajsh.

Përveç reformës për emigracion të ligjshëm, Greqia po punon edhe për marrëveshje të reja dypalëshe me të paktën gjashtë shtete, si Moldavia, Gjeorgjia, Armenia, India, Vietnami dhe Filipinet, për të marrë nga fuqia punëtore e këtyre vendeve me qëllim forcimin e tregut të brendshëm të punës në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi.

Për Greqinë, çështja e emigrantëve ka edhe një aspekt ekonomik. Vetëm nga mosvjelja e ullinjve – që arrin në 23% – për shkak të fuqisë punëtore, humbjet ekonomike vlerësohet se do të arrinin në 1,5 miliard euro./Ta Nea/rtsh/