Telegrafi

Grenell, qytetarit nga Kosova: SHBA do zhvillim ekonomik – ne s’mund të ndihmojmë kur taksa po vazhdon ta dëmtojë Kosovën

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ka reaguar përsëri për taksën ndaj Serbisë, të cilën përkundër kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po refuzon ta heqë kryeministri Kurti.

Grenell në Twitter, ka thënë se Uashingtoni është i fokusuar në zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Sipas tij këto pika janë neglizhuar deri më tani në fazat më të hershme të dialogut.

Po ashtu Grenell ka insistuar se taksa po vazhdon ta dëmtojë Kosovën, dhe se sipas tij SHBA-të s’mund të ndihmojnë në këtë aspekt përderisa tarifa është në fuqi.

Në fund ai ka thënë se Kosova dhe Serbia do të pajtohen vet për zgjidhjen përfundimtare, jo Uashingtoni.

“Uashingtoni është i fokusuar për zhvillim ekonomik dhe vende pune. Ne besojmë se kjo pjesë është injoruar në dialog. Por, ne nuk mund të ndihmojmë qeverinë, kur taksa po vazhdon ta dëmtojë Kosovën. Ata duhet ta heqin atë. Po ashtu, problemet politike do të zgjidhen nga dy palët, jo nga Uashingtoni”, ka shkruar Grenell.