Telegrafi

Grenell me mesazh të njëjtë edhe nga selia e LDK-së: Nuk përzihemi në punët e brendshme, zhvillojeni ekonominë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell pas takimit me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se nuk përzihen në punët e brendshme të Kosovës, por sipas tij SHBA-të janë të interesuara të shohin zhvillim ekonomik.

Ai edhe pas takimit me Mustafën tha se taksa duhet të hiqet dhe Serbia duhet ta ndalojë lobimin kundër Kosovës.

“E ndava të njëjtin mesazh që ne në Amerikë nuk jemi të interesuar të përfshihemi në atë se si formohet qeveria, por jemi të interesuar në zhvillimin e ekonomisë. Ndava me Mustafën edhe vizionin tim në lidhje me arritjen e pikës së synuar në një kohë sa më të shpejt, duke e hequr taksën dhe duke ndërprerë kampanjën e ç’njohjeve nga Serbia, kemi për të zhvilluar ekonominë”, tha Grenell, raporton Telegrafi.

Ndryshe, Grenell në orët e mëngjesit ka takuar edhe liderin e LVV-së, Albin Kurti, ndërsa të mërkurën mbrëma ka takuar presidentin Hashim Thaçi.

Grenell të premten në mëngjes do ta vizitojë edhe Beogradin. /Telegrafi/