Telegrafi

Grenell e quan Kurtin “ekstremist”, thotë se Vuçiq menaxhoi më mirë krizën në raport me Kosovën

Ish-i emisari i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka komentuar fitoren e Aleksandar Vuçiqit dhe partisë së tij, SNS.

Grenell i ka atribuuar suksesin e SNS-së, në pjesë, menaxhimit të situatës me Kosovën, duke pohuar se sjellja e Albin Kurtit, të cilin e etiketon si “ekstremist”, ka pasur ndikim në këtë rezultat.

Në postimin e tij, Grenell ka argumentuar se qëndrimi i Vuçiqit ka qenë vendimtar për të fituar mbështetjen e pensionistëve dhe të pavarurve në Serbi, të cilët e vlerësojnë qasjen e tij ndaj asaj që e përshkruan si sjellje radikale e liderit të Kosovës.

Ai gjithashtu ka krahasuar qasjen e tij gjatë mandatit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar një ndryshim të ndjeshëm në balancën e presionit dhe trajtimit të dy palëve me ardhjen në pushtet të Kurtit, çka sipas tij ka çuar në një paqëndrueshmëri të re rajonale.

“Unë po shoh shumë prova që pretendojnë se të pavarurit dhe pensionistët në Serbi në fund votuan për SNS-në sepse Vuçiq e trajtoi shumë mirë liderin ekstremist të Kosovës, Albin Kurti. Kur komuniteti ndërkombëtar e dënoi Kurtin në mënyrë universale, atyre iu pëlqeu mënyra sesi Vuçiq e menaxhoi krizën dhe qëndroi mbi të”.

“Më kujtohet se duhet të bëja presion ndaj Serbisë dhe Kosovës në mënyrë të barabartë kur Thaçi ishte President. Por me ardhjen e Kurtit në pushtet, situata ka dalë jashtë ekuilibrit”.

“Kurti krijoi probleme dhe radikalizmi i tij ishte një çështje kryesore për këta votues”, shkroi Grenell.