Deklaratat e zyrtarit amerikan Richard Grenell në lidhje me Kurtin kanë nxitur reagime të shumta në skenën politike dhe mediatike në Kosovë.
Ish-ministri Dardan Gashi, duke komentuar qëndrimet e Grenellit, tha se ai tani është përfaqësues i Administratës Amerikane dhe theksoi ndikimin e madh të SHBA-së në politikën kosovare.
“Kjo Administratë Amerikane është më agresivja që ka pasur SHBA-ja, duke imponuar vullnetin e saj ndaj shteteve të fuqishme, e lëre më ndaj Kosovës,” deklaroi Gashi në RTV Dukagjini.
Ai shtoi se Grenell ka bërë të qartë se SHBA nuk e sheh më si partner Albin Kurtin.
Ndërkohë, analisti Sadri Ramabaja ka kundërshtuar interpretimin e deklaratave të Grenellit si qëndrim zyrtar të SHBA-së.
“Deri tani, kjo është vetëm një deklaratë individuale e tij. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të bombardohen me propagandën e Grenellit, i cili është pjesë e lobit serb”, tha Ramabaja.
Nga ana tjetër, analisti Astrit Gashi tha se përplasja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grenellit ka një histori të gjatë.
“Administrata Trump 1 nuk ishte e kënaqur me Kurtin, por as Administrata Biden nuk ka pasur raporte normale me të. Të kesh një armik si Grenelli nuk është e dobishme për një parti të madhe në Kosovë, pasi mund të shkaktojë probleme serioze në ndërtimin e një qeverie. Shumë më lehtë ndërrohen qeveritë në Ballkan se që ndërrohen qëndrimet e SHBA-së”, tha Astrit Gashi.
Analisti Viktor Buzhala, duke komentuar rëndësinë e Grenellit në SHBA, theksoi se ai nuk është një figurë e paprekshme dhe se gjatë administratës Trump u zëvendësua disa herë nga pozitat që mbante.
“E para Grenell gjatë Administratës së parë Trump ka qenë ambasador në Gjermani pastaj është ndërru dhe është bërë shef i 6 shërbimeve sekrete në SHBA pasja u ndërru edhe nga ajo pozitë. Pra Grenellit tri herë ju ndryshua pozita gjatë Administratës së Trumpit. Nuk është i parëndësishëm por nuk është i caktuar përfaqësues për Kosovë”, tha Buzhala.
Ndërkohë, analisti Lirim Mehmetaj vlerësoi se Grenelli është një figurë e rëndësishme në SHBA dhe do të vazhdojë të luajë rol në çështjet ndërkombëtare.
Ish-deputeti Visar Ymeri shtoi se ndikimi i Grenellit në politikën amerikane nuk mund të neglizhohet.
“Ai ka kontakte të drejtpërdrejta me Trump dhe tashmë po merret edhe me Ballkanin. Deklaratat e tij tregojnë qartë se ai nuk e sheh Kurtin si një partner të besueshëm, dhe kjo mund të ndikojë në raportet SHBA-Kosovë”, tha Ymeri.
Ky debat ka rindezur diskutimet mbi ndikimin e SHBA-së në politikën e brendshme të Kosovës dhe sfidat e qeverisë aktuale në raportet me Uashingtonin./Telegrafi/