Telegrafi

Grenell e quan ditë historike vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit

Ish-emisari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka quajtur të mrekullueshme ditën e sotme, ku Kosova dhe Izraeli vendosën zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.

Grenell, përmes një postimi në Twitter,  u shpreh mirënjohës ndaj ministres së Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj, ish-presidentit Donald Trump dhe sekretarit të ri amrikan të Shtetit Antony Blinken.

”Një ditë e mrekullueshme. Izraeli dhe Kosova nënshkruajnë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike.

Faleminderit, @MelizaHaradinaj @IsraelMFA Donald Trump dhe @SecBlinken për angazhimin tuaj për ta bërë sot një ditë me të vërtetë historike!”, ka shkruar Grenell, transmeton Telegrafi.

Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera. /Telegrafi/