Site icon Telegrafi

Greiçevci tregon se cilat janë vijat e kuqe në dialog sipas raportit “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ Kosovë-Serbi” (Video)

Drejtori i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) , Labinot Greiçevci, në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur rreth sondazhit të realizuar nga ky institut lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, të titulluar ” Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Greiçevci ka treguar se në këtë sondazh numri i të anketuarëve ka qenë 1110 persona në 38 komuna të Kosovës.

Ai më tej ka shtuar se sondazhi ka qenë i ndarë në katër kategori.

“Kemi realizuar sondazhin në katër kategori si vijon: 1. ndërprerja ose mosndërprerja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; 2. vijat e kuqe të Kosovës në lidhje me fazën finale të dialogut; 3. në rast të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, a duhet Kosova të kërkojë të bashkohet me Shqipërinë; dhe 4. perceptimi i qytetarëve të Kosovës lidhur me tre skenarët për një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Greiçevci.

Duke folur rreth gjetjeve që ka bërë ky institut gjatë realizimit të këtij sondazhi, e veçanërisht tek vijat e kuqe të Kosovës në lidhje me fazën finale të dialogut ky hynë liqeni i Ujmanit, Trepça, Lugina e Preshevës dhe Veriu i Kosovës, sipas rezultateve shumica e qytetarëve kanë deklaruar që këto duhet të mbesin brenda territorit të Kosovës.

“I kemi pyetur qytetarët se a duhet që liqeni i Ujmanit të mbetet pjesë e Kosovës apo jo, ku 96% të shqiptarëve kanë thënë se duhet të mbetet në Kosovë dhe 5% e respodentëve serbë mendojnë njëjtë. Sa i përket Trepçës, 99% e të anketuarve shqiptarë kanë thënë se Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës dhe vetëm 9% e qytetarëve serbë ndajnë të njëjtin mendim. Tek çështja e Luginës së Preshevës 62% e të anketurarëve kanë thënë se kjo pjesë duhet ti bashkohet Kosovës, ndërkaq 0% nga serbët kanë qenë pro kësaj ideje. Kurse 91% e shqiptarëve mendojnë që Veriu i Kosovës nuk duhet t’i bashkohet Serbisë dhe vetëm 10% e qytetarëve serbëve janë pro këtij mendimi”, ka deklaruar Greiçevci.

Drejtori i Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) , Labinot Greiçevci, gjatë intervistës për Telegrafi.com

Greiçevci po ashtu ka deklaruar se shumica e popullsisë së Kosovës është kundër ndërprerjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në përgjithësi, 62% e të gjithë të anketuarve nuk pajtohen me ndërprerjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si shqiptarët dhe serbët në Kosovë pajtohen që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë”, u shpreh ai. /Telegrafi/

Exit mobile version