Telegrafi

Grealish shpjegon pse Man City ka shans për të fituar sërish tripletën këtë sezon

Ylli i Manchester Cityt, Jack Grealish ka shpjeguar arsyen pse ekipi i tij ka një shans për të arritur rezultatet e sezonit të kaluar, ku fitoi të gjitha trofetë.

Manchester City pati një vit të mrekullueshëm sezonin e kaluar, duke fituar jo vetëm Ligën Premier, por edhe Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve.

Tani, me rreth dy muaj të mbetur në sezonin aktual, skuadra e Pep Guardiolës po i ndjek edhe një herë të tre trofetë.

“Ne si ekip dhe si klub, po e marrim sezonin ndeshje pas ndeshje”, ka thënë fillimisht Grealisht për faqen zyrtare të klubit.

“Unë e di që kjo është ajo që thonë të gjithë, por ne me të vërtetë jemi duke vepruar kështu. Njësoj ishte edhe vitin e kaluar. Ne nuk po e shikonim me të vërtetë duke menduar ‘a mund të shkojmë të bëjmë tripltetën?’”.

Lexo po ashtu Superkompjuteri befason me parashikimin e tij për Ligën e Kampionëve, mësoni favoritin dhe shanset e secilit ekip

“Ishte më shumë sikur t’i marrim ndeshjet një nga një në finalet e Ligës Premier, Kupës FA dhe Ligës së Kampionëve në fund”.

“Ne sigurisht kemi talentin, dëshirën dhe ekipin për të shkuar dhe për ta bërë këtë. Ne kemi menaxherin më të mirë në botë. Mund të kemi një muaj të suksesshëm të sezonit”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/