Telegrafi

Gratë kërkojnë barazi gjinore (Video)

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës dhe organizatat e tjera mbështetëse, organizuan marshin protestues “Marshojmë, s’festojmë” në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Shukrie Rexhepi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se gratë në Kosovë janë të diskriminuara, veçanërisht ato në vende të punës, të cilat punojnë në kushte jo të favorshme.

“Vendet me pozita më të ulëta të punës janë ato që kryesisht i gjejnë gratë e në këtë kontekst ato janë të paguara më pak se që janë të paguar burrat. Kontratat në kohë të caktuar në masë të madhe i prekin sidomos gratë”, tha Rexhepi.

E Luljeta Aliu, aktiviste për barazi gjinore, ka thënë se pa fuqizimin ekonomik e social nuk do të ketë zhvillim as të barazisë shoqërore.

Po ashtu ajo ka thënë se në pjesën e trashëgimisë në familje duhet të jenë edhe femrat për ndarjen e pasurisë së përbashkët.

“Pa fuqizim ekonomik nuk do të ketë zhvillim as shoqëror”, ka thënë ndër tjerash Aliu.

Ndërsa, Lenti Mustafa, aktiviste, ka thënë se në Kosovë gratë në punësim marrin pjesë vetëm 13 për qind edhe pjesa tjetër duan punësim dhe zhvillim në shoqëri.

Ajo tha se mosrespektimi i të drejtave shoqërore dhe ekonomike thellon pabarazinë në shoqëri.

“Mosrespektimi I të drejtave shoqërore dhe ekonomike thellon pabarazinë dhe mundëson drejtësinë shoqërore, prandaj ne protestojmë dhe nuk festojmë”, tha Mustafa.

Në kuadër të Ditës së Gruas, sot janë shënuar shumë aktivitete dhe janë organizuar tryeza për trajtimin e barazisë gjinore. /kp/Telegrafi/