Telegrafi

Gratë deputete, vendosin kurora lulesh tek pllaka përkujtimore e Nënë Terezës

Për nder të 106 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës dhe në vigjilje të shenjtërimit të saj, gratë deputete të Kuvendit të Kosovës po marrin pjese në manifestimet e shumta që po mbahen në Shkup.

Deputetet e Parlamentit të Kosovës janë pritur nga koleget e tyre deputete në Parlamentin e Maqedonisë, me ç’rast kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek pllaka përkujtimore e Nënë Terezës.

Më pas deputetet bashkë me zyrtare të institucioneve të Maqedonisë morën pjesë në hapjen e ekspozitës me veprimtari të Nënë Terezës, organizuar nga Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve ne Maqedoni.

Me këtë rast, kryetarja e GGD-së, Blerta Deliu Kodra, tha se në 106 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, si deputete dhe si shqiptare ndihen shumë krenare që kultivojnë dhe bartin mesazhin dhe frymën e humanizmit dhe bamirësisë që kultivoi Nënë Tereza. /Telegrafi/