Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e ditës së hënës ka emëruar Granit Rugovën si drejtor të Përfaqësueseve të Kosovës.
Ish-basketbollisti do të nis punën nga data 15 gusht në zyre të FBK-së.
Duhet theksuar se Rugova vlerësohet si një prej basketbollistëve më të mirë që nga paslufta në Kosovë, derisa ka fituar trofe të shumtë me ekipin e Sigal Prishtinës, kurse për një kohë ka mbrojtur edhe ngjyrat e klubit të Bashkimit.
Rugova po ashtu ka qenë pjesë e suksesit të Kosovës në parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, kur Përfaqësuesja jonë arriti të kualifikohet në mesin e 32 kombëtareve më të mira evropiane.
Rugova së fundi është pensionuar edhe nga Përfaqësuesja e Kosovës, por edhe nga karriera aktive si basketbollist.
Gjithashtu Federata ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me trajnerin kroat, Damir Mulaomerovic, që ky i fundit të udhëheq përfaqësuesen tonë në garat parakualifikuese të Eurobasketit, ku skuadra jonë do të përballet me Rumaninë dhe Maqedoninë.
Theksojmë se FBK-ja e ka miratuar ofertën e kompanisë “Art Motion” në lidhje me shitjen e të drejtave televizive. /Telegrafi/