Në qendër të Beogradit është shfaqur një grafit përmes të cilit kërkohet vdekja e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Grafiti “Vdekje për Chripher Hillin” është shkruar në objektin që ndodhet në cep të Bulavardit despoti Stefan dhe Rrugës “Cetinjska”.
Siç shkruajnë mediat serbe, nuk dihet se kush dhe kur e ka shkruar këtë mesazh, por ky është i dyti në serinë e kërcënimeve që i drejtohen ambasadorit amerikan, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, S.B. nga Beogradi është ndaluar dy ditë më parë për kërcënime ndaj ambasadorit Hill. I arrestuari, siç dyshohet, ka shkruar në rrjetin social “Facebook”, ndër të tjera, “Koha për një goditje të re të Gavrilo Principit direkt në kokën e okupatorit Christopher Hill…”.
Atij i është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Hill është gjendur në një situatë të palakueshme pak ditë më parë, derisa po shëtiste rrugëve të Beogradit. Ai është sulmuar verbalisht nga disa gra, të cilat përdorin fjalë të rënda në drejtim të tij.
Gratë protestuese, identiteti i të cilave deri më tash nuk dihet, i janë drejtuar ambasadorit Hill duke i thënë se Serbia nuk do t’ia falë kurrë SHBA-së atë që bëri me bombardimet në vitin 1999.
“Ne nuk do t’ju falim kurrë për krimet tuaja. Ky është një pushtues dhe një vrasës”, shprehen ato në videon 5 minutëshe e cila është shpërndarë gjithandej në rrejtet sociale, shkruan Telegrafi.
“Vrasësi po shëtit nëpër Beograd, i ftohtë si vdekja”, ” vrasësi i fëmijëve”, ” Kosova është pjesë e Serbisë”, ” Populli serb është me Rusinë”, janë disa nga shprehjet tjera që përdorin gratë në drejtim të ambasadorit Hill. /Telegrafi/