Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se një zyrtar policor ka gjuajtur me armë zjarri një person në Graçanicë, pasi personi i dyshuar kishte tentuar të ikë nga policia.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka tha për Telegrafin se rasti ka ndodhur rreth orës 17:00.
“Në bazë të mandatit ligjor të IPK-së rasti do të trajtohet nga IPK në koordinim edhe me prokurorin kujdestar i cili ka dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet nga hetimet paraprake deri më tani dyshohet se zyrtari policor ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një të dyshuari i cili ka qenë i ndaluar në Stacionin Policor të Graçanicës e që i njëjti ka ikur me ndihmën e një të dyshuari tjetër i cili ka qenë duke pritur me një automjet aty afër. Gjatë përdorimit të armës së zjarrit është qëlluar shoferi i makinës cili më vonë ka shkaktuar aksident gjatë ikjes. Personi i qëlluar me armë zjarri është dërguar nga policia për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë”, deklaroi Beka.
Ai bëri të ditur se hetuesit e IPK-së së bashku me njësitë tjera relevante dhe institucionet përkatëse janë duke punuar drejt ndriçimit të rrethanave të këtij rasti, dhe rreth asaj se a janë plotësuar kushtet ligjore për përdorimin e armës zyrtare.
“Zyrtari policor (i stacionit policor të Graçanicës) është dërguar në objektin e IPK-së për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit me dyshimin për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, theksoi ai.
Beka shtoi më tej se “hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”. /Telegrafi/