Adem Grabovci do të jetë dëshmitar i Prokurorisë në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin gjyqësor të njohur si Rasti MTPT.
Grabovci ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (MTPT), të cilën e drejtonte Limaj.
Lajmin se Adem Grabovci do të dëshmojë nesër në gjykimin e Limajt për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Limajt, Tahir Rrecaj.
Në faqen zyrtare të EULEX-it paralajmërohet se seanca në gjykimin e Limajt do të ketë më 14, 15 dhe 16 mars.
Në procesin e njëjtë me Limajn për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.
Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit.
Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015 e cilësoi të ngritur me urdhër politik.