Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë identifikuar të dyshuarin për grabitjet e fundit në Prishtinë, të cilat janë kryer nën kërcënimin e armëve të zjarrit.
I dyshuari është 19-vjeçari, Riad Sopjani, i cili për momentin është në arrati.
Shtetasi i Republikës së Kosovës, i dyshuar për grabitjet e fundit është në kërkim nga ana e Policisë së Kosovës, të cilët kanë kërkuar që për çfarëdo informacioni që do të kontribuonte në kapjen e tij ta informojnë policinë.
“Ky i dyshuar aktualisht në arrati, është shpallë në kërkim nga ana e policisë andaj inkurajojmë të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e tij, apo çfarëdolloj informacioni tjetër që do ti kontribuonte kapjes së tij, t’ ia kalojnë ato policisë përmes linjës 192, apo në çfarëdo forme tjetër.”, tha për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
Ai sqaroi se deri tek identifikimi i tij ka ardhur pasi Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, ka ndërmarrë të gjitha masat policore në drejtim të hetimit, identifikimit, marrjes e përpunimit të informacioneve të rëndësishme dhe ka realizuar operacione të bastisjeve e të kërkimit për grupe dhe individ të veçantë të përfshinë në këto raste.
Ndryshe, Ndryshe, kohëve të fundit kanë ndodhur disa grabitje të armatosura në Prishtinë.
Cak i grabitjeve kanë qenë institucionet financiare, dy prej të cilave kanë ndodhur gjatë ditës së sotme.
Policia e Kosovës bën të ditur se brenda pak minutave sot, mes orës 10:30 – 10:40, kanë ndodhur dy grabitje të institucioneve financiare në kryeqytet.
Grabitjen e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Një grabitje tjetër në kryeqytet ka ndodhur në kryqëzimin e rrugëve “Edmond Hoxha” dhe “Hajrullah Abdullahu”.
Të premten, më 18 dhjetor, një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri nga disa persona që po tentonin të grabisnin para nga një bankomat në Prishtinë.
Rasti kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në një qendër tregtare në lagjen Veternik, në Prishtinë. /Telegrafi/