Telegrafi

Grabitje në një pompë të derivateve në Vushtrri, policia arreston një 19-vjeçar

Foto: Ilustrim

Një grabitje ka ndodhur në një fshat të Vushtrrisë, ku dy persona të maskuar kanë marrë para në një pompë derivatesh.

Lidhur me rastin, policia njofton se ka arritur të identifikojë të dyshuarit, ku njëri prej tyre tashmë është arrestuar, transmeton Telegrafi.

“Më datë 01.06.2024, rreth orës 03:10, policia në Vushtrri ishte njoftuar se në një fshat të Vushtrrisë në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, persona të maskuar kishin hyrë në një pompë derivatesh dhe nën kanosje të armëve të ftohta, kishin marrë paratë nga shitja ditore e gjithashtu njërit punëtor të pompës i kishin marrë edhe kuletën e tij personale. Pasi është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Jugu, kanë filluar me hetime intensive për zbulimin e këtij rasti”, bëhet e ditur në njoftim.

Hetuesit kanë mbledhur prova dhe dëshmi në bazë të të cilave në orët e pasdites të datës 01.06.2024, kanë arritur të identifikojnë dy persona të dyshuar dhe automjetin me të cilin të dyshuarit kishin kryer veprën penale.

“Rreth orës 18:00, është arrestuar personi i dyshuar M.M.,19 vjeçar, i cili është intervistuar në prani të avokatit dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh”, theksohet në njoftim.

Në lidhje me personin e dytë të dyshuar, hetuesit kanë shkuar në vendbanimin e tij mirëpo i njëjti nuk është gjetur në shtëpi.

“Hetuesit vazhdojnë me veprime hetimore për gjetjen e vend ndodhjes dhe lokalizimin e tij, gjithashtu edhe për hetimin dhe identifikimin e personave tjerë të cilët kanë marrë pjesë në bashkëkryerje të veprës penale”. /Telegrafi/