Site icon Telegrafi

Grabitje në Lipjan, arrestohet një person të tjerët në arrati

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot rreth orës 03:00, policia ka marrë informacionin për një rast vjedhjeje grabitqare në rrugën “Hajredin Bajrami” në Lipjan, ku persona të maskuar kanë arritur të thyejnë një lokal (market) dhe nga aty të vjedhin arkën me një sasi të parave si dhe gjëra të tjera dhe më një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Me të marrë informacionin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që janë mobilizuar dhe vënë në ndjekje të veturës së dyshuar njësitet e stacioneve policore të Prishtinës.

Aksioni i ndjekjes kryesisht ka qenë në rrugët që lidhin lagjet Velania – Tauk Bahçe dhe Avalla, ku në një moment të caktuar të dyshuarit me veturën e tyre në ikje e sipër kanë tentuar të godasin zyrtarin policor.

Për rrjedhoje zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e personave të dyshuar, përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre dhe pjesëmarrësve në komunikacion, domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme”, thuhet në komunikatë.

Më tej në komunikatë thuhet se përgjatë ndjekjes janë aksidentuar dy vetura zyrtare të policisë ku janë lënduar katër zyrtarë policor.

Zyrtarët policor të lënduar në këtë rast, kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe përkundër lëndimeve të shumta janë në gjendje shëndetësore të qëndrueshme.

Në të njëjtën kohë ka qenë duke u zhvilluar edhe një aksion tjetër i policisë, ku është arrestuar një person i dyshuar për grabitje. Operacioni është realizuar nga njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë,

Aktualisht policia po punon me përkushtim me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version