Site icon Telegrafi

Grabitje e armatosur në parkingun e një qendre tregtare në Prishtinë, plagoset një person

Një person ka mbetur i plagosur sot rreth orës 10:30 pas një grabitje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon i cili transportonte para në lagjen Veternik të Prishtinës.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, ka thënë Ahmeti.

Sipas saj, personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë,  janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Siç merr vesh Telegrafi grabitja ka ndodhur në parkingun e një qendre tregtare në lagjen Veternik të Prishtinës. /Telegrafi/

Exit mobile version