Telegrafi

Grabitje e armatosur në një filiale banke në Prishtinë

Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot rreth orës 10:00 në Prishtinë, në një filiale banke.

Policia e Kosovës bën të ditur se personat e dyshuar, që të gjithë maskuar, kanë grabitur një sasi të parave dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 10:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në rrugën ‘Robert Doll’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve.

Personat e dyshuar, që të gjithë maskuar, kanë grabitur një sasi të parave dhe janë larguar nga

vendi i ngjarjes me një veturë.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre. /Telegrafi/

Foto: Arkiv