Një person është arrestuar mbrëmë në Gjilan pasi që i njëjti nën kërcënimin e armës hyri në një market për të kryer grabitje.
Gjatë tentimit për të kryer këtë vepër penale, punëtorët e marketit arritën të ndalojnë të dyshuarin.
RTV Dukagjini ka publikuar pamjet e momentit të kësaj grabitje, ku shihet i dyshuari duke hyrë në market me armë në dorë, ku ja drejton njërit prej punëtorëve i cili më pas shkon te arka dhe fillon t’ia vendos paratë në një qese.
Pak minuta më pas njëri nga punëtorët e tjerë i shkon nga mbrapa të dyshuarit dhe konfrontohet me të, ku më pas në ndihmë i vijnë edhe dy punëtorët e tjerë.
Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se nga i dyshuari është konfiskuar një armë zjarri me një karikator.
“Tre viktimat meshkuj kosovar punëtor në një market, kanë raportuar se i dyshuari mashkull kosovar nën kërcënimin e armës u ka grabitur nga arka paratë, mirëpo të njëjtit gjatë ballafaqimit me të dyshuarin kanë arritur ta ndalojnë. Nga njësiti policor i dyshuari është arrestuar si dhe ju është konfiskuar një armë zjarri me një karikator me katër fishek”, ka njoftuar policia.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/